Këshilla/Blog

19 Prill

Bota online është tashmë mjedisi ku të rinjtë qëndrojnë më tepër, ndaj për t’u folur më mirë rreth rreziqeve të trafikimit të qenieve njerëzore është e nevojshme që komunikimi të fokusohet më tepër online – kështu konstatojnë edhe psikologët e shkollave në gjimnazet e qyteteve të Tiranës, Shkodrës, Dibrës dhe Kukësit.

Të përzgjedhur dhe mentoruar nga psikologët e shkollave të tyre, nxënësit e gjimnazeve janë pjesë e fushatës digjitale #DiTëMbrohem të Fondacionit Together Albania e cila ka për qëllim të fuqizojë të rinjtë për të identifikuar rreziqet e Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe të kenë informacionin e duhur se ku mund të kërkojnë ndihmë.

Plot me ide kreative dhe origjinale, të rinjtë janë duke krijuar materiale sensibilizuese dhe informuese të cilat i flasin bashkëmoshatarëve të tyre dhe do të nxisin diskutimin publik për këtë fenomen.  

Rreziqet e Trafikimit të Qënieve Njerëzore apo formave të tjera të shfrytëzimit të grupeve vulnerabël që vijnë nga ekspozimi i të rinjve në botën digjitale dhe atë reale janë të shumta. Kështu që dhënia e informacionit mbi teknikat e identifikimit, mbrojtjes dhe raportimit është një pikë kyçe e kësaj fushate. Duke ideuar dhe zhvilluar postera, video, prezantime, këngë apo broshura online, të rinjtë e përfshirë në këtë fushatë janë tepër të motivuar të përçojnë mesazhe të qarta fuqizimi dhe informacioni për bashkëmoshatarët e tyre në mbarë vendin përmes rrjeteve sociale.

Gjatë diskutimeve nxënësit identifikuan faktorë që mund të mirëpritën nga bashkëmoshatarët e tyre duke pasur parasysh një qasje të drejtpërdrejtë dhe miqësore. Tashmë është e qartë që idetë e tyre do të angazhojnë të rinjtë dhe do të tërheqin vëmendjen e tyre në problematikën e trafikimit të qënieve njerëzore.

Pandemia Covid-19 bëri që të rinjtë të kalojnë gjithmonë e më tepër kohë online. Sidomos në këtë periudhë, shërbimi për këshillim online nukjevetem.al ka ofruar një mjedis miqësor dhe të sigurt, ku të rinjtë dhe fëmijët kanë kërkuar ndihmë. Fondacioni Together Albania përmes fushatës ndërgjegjësuese do të përdorë numrin e lartë të të rinjve që vizitojnë platformën nukjevetem.al si dhe rrjetin e mediave sociale për të rritur përçimin e mesazheve.