Këshilla/Blog

21 Qershor

Ndërgjegjësimi mbi trafikimin e qënieve njerëzore përbën një nga komponentët kryesorë në luftën kundër këtij fenomeni. Fondacioni Together Albania realizoi një takim të frytshëm me të rinjtë e qytetit të Shkodrës dhe zonave rurale pranë, me qëllim informimin, rritjen e ndërgjegjësimit dhe fuqizimin e tyre kundër trafikimit të qenieve njerëzore.  Ky takim u realizua në bashkëpunim të ngushtë me kongregatat e “Kishës Katolike Shkodër”, të cilat punojnë në zonat rurale të qytetit dhe janë në kontakt të drejtpërdrejtë me banorët.

Takimi me murgeshat dhe të rinjtë e zonës pati si qëllim pëcjelljen e informacionit të dobishëm tek të rinjtë me akses të kufizuar në teknologji dhe internet por që mund të përfitojnë nga plaforma nukjevetem.al e sidomos që t’ja transmetojnë atë edhe të rinjve e fëmijëve të tjerë në nevojë.  Gjithashtu u fol për rëndësinë e shëndetit mendor, qasjen për të kërkuar ndihmë, uljen e stigmës dhe informimin mbi format e reja të trafikimit. Përmes një diskutimi të hapur të gjithë të rinjtë të pranishëm në takim u njohën me shërbimin e nukjevetem.al si një hapësirë ku ata mund të drejtohen për mbështetje psiko-emocionale profesionale, falas dhe anonime, me orë chati të dedikuara për ta.

Të rinjve iu tregua në mënyrë praktike se si mund të perdorin këtë platformë dhe të kërkojnë ndihmë përmes dërgimit të pyetjeve ose bisedave të drejtpërdrejta në chat me psikologët në orare të caktuara.

Të rinjtë ishin ndërveprues dhe ndanë përvojat e tyre. Njëri prej pjesëmarrësve, A. L, 19 vjeç theksoi “ në zonën ku ai jeton has shumë vështirësi për të kërkuar ndihmë pasi stigma është shumë e lartë”.            
Në fund, të rinjtë premtuan se do ta ndanin informacionin për platformën nukjvetem.al me bashkëmoshatarët e tyre.

Fondacioni Together Albania do të jetë pranë të rinjve si nëpëmjet platformës nukjevetem.al ashtu edhe nëpërmjet takimeve në terren për të mbështetur dhe ndërgjegjësuar të rinjtë.