Këshilla/Blog

Pandemia e Covid 19 përbën një nga ngjarjet më të mëdha globale me një efekt transformativ në shumë nivele, si personale, ndërpersonale dhe kolektive.

Pandemia solli një realitet të ri për ne, brenda vetes sonë, përreth nesh, por dhe në marrëdhëniet me persona të afërt dhe të rëndësishëm, duke ngritur disa pyetje: 

  • A shërbeu për të zbuluar më shumë për veten dhe partnerin/partneren?
  • A shërbeu për të rritur besimin mes partnerëve?
  • A shërbeu për të qenë më të qëndrueshëm apo më hezitues në marrëdhënie?

Distancimi social, karantinimi për të ruajtur shëndetin, shpenzimi i më shumë kohe me partnerët për disa, ndërkohë humbja e hapësirës për të tjerë për arsye qëndrimi të ndarë prej rrethanave (qytete/shtete të ndryshme, shtëpi e jetesa të ndara) si dhe mungesa së aktiviteteve të përbashkëta të jashtme ishin disa nga kushtet e reja të krijuara.

Në këto kushte, shfaqet më tepër vulnerabilitet emocional dhe testohen më fort mekanizmat tonë individual për tu përballur me situata që krijojnë frikë, ankth dhe pasigurinë.

Si rezultat, edhe pse u përpoqëm të adaptoheshim dhe të “normalizonim” cfarë po ndodhte ,ajo që u bë automatikisht më domethënëse ishte mbështetja te marrëdhëniet me personat e rëndësishëm, vecanërisht  me partnerët  si një mënyrë për të gjetur dhe shkëmbyer sigurinë emocionale dhe sociale.

Ndikimi i pandemisë ka efekte specifike  edhe në varësi të stadit dhe cilësisë së marrëdhënies dhe sa e investuar është ajo. Si e tillë, duhet kuptuar që ndikimi në marrëdhëniet mes partnerëve ka qenë aq divers po aq sa kompleks janë faktorët që e bashkëshoqërojnë.  

“U mbështetëm më shumë te njëri tjetri”

Marrëdhëniet e cifteve që janë më të konsoliduar dhe ndihen më të sigurtë në lidhje, qoftë atyre që nuk jetojnë ose jetojnë bashkë mund të kenë qenë më rezistente ndaj një ngjarje të vecantë si kjo. Një marrëdhënie ku investohet te komunikimi, nevojat e tjetrit dhe ka një përvojë të mirë të gjetjes së zgjidhjeve bashkë, të kalimit të shëndetshëm të ngjarjeve të mëparshme të vështira, mund të mbajë më mirë stresin dhe pasigurinë në aspekte të ndryshme. 

Rritja e vulnerabilitetit (nëpërmjet shfaqjes së frikës, pasigurisë, ankthit, tensionit etj) mund të ketë sjellë nevojën për tu mbështetur më shumë të partneri/partnerja dhe si rezultat edhe ka rritur vlerën, respektin, afeksionin dhe investimin e të dyja palëve. 

Planet për të ardhmen u ngadalësuan dhe u kompromentuan, por ky ngadalësim i ritmit të jetës dhe nevojës për të arritur qëllime të ndryshme, mund të ketë zmadhuar mundësinë për të qenë më pranë dhe më të ngrohtë me njëri tjetrin. Mund të themi edhe që disa cifte mund ta kenë përdorur kohën më të madhe fizike të shpenzuar me njëri tjetrin si një katapultë për të njohur partnerin/partneren edhe më mirë.

Ndërkohë, rritet mundësia për konflikt si rezultat i stresit, pasigurisë, prishjes së rutinave dhe rritjes së ndërveprimit fizik më të shpeshtë në mungesë të aktiviteteve të jashtme. Përplasjet mund të bëhen më të mëdha për gjërat e përditshme edhe si një kompensim për mungesën e hapësirës fizike vetjake dhe jetës sociale dhe kjo mund të ketë rritur keqkuptimet mes partnerëve, por edhe ka krijuar natyrshëm nevojën për të komunikuar, argumentuar dhe për të kuptuar nevojat më mirë. 

“Mendova që koha po bëhej më e shkurtër dhe nuk ishte kjo ajo që unë doja, të paktën nuk isha më i sigurtë” 

Marrëdhëniet na japin siguri, por ndonjëherë qëndrohet në marrëdhënie jo të mira dhe të shëndetshme pa reflektuar mbi to apo pa artikuluar problemet që mund të ekzistojnë. 

Situata e krijuar nga pandemia hodhi dritë ose dyshime mbi shumë partnerë në qoftë se marrëdhënia që kishin ishte vërtet ajo që donin e nëse i conte drejt përmirësimit te vetes.

Partnerët, duke shpenzuar më shumë kohë me njëri tjetrin në të njëjtin ambient fizik, kanë zbuluar ose kanë parë më mirë detaje që nuk i pëlqejnë tek partneri tjetër dhe kjo padyshim që ka sjellë nje përkeqësim të përshpejtuar të marrëdhënies sepse herët a vonë janë detaje që do kishin dalë në dritë gjithsesi. 

Marrëdhëniet e pakonsoliduara ende testohen natyrshëm më shumë në një periudhë pandemie. Sensi i sigurisë dhe besimi te një marrëdhënie nuk është krijuar akoma dhe vështirësitë për tu takuar e shpenzuar kohë cilësore me njëri tjetrin mund të sjellin edhe një ftohje të partnerëve dhe një kërkim për një komunikim/marrëdhënie në rrethana më të favorshme logjistike. 

Partnerët që nuk bashkëjetonin ju nënshtruan një testi tjetër: mbajtjes se stadit aktual të marrëdhenies dhe zhvillimit i saj. Një marrëdhënie e pakonsoliduar ka pengesat natyrale te krijuara nga dinamika e ndërthurjes së dy personave, të karaktereve, mendimeve dhe ndjesive të tyre. Nëse këtyre i shton edhe pengesat logjistike dhe stresin personal të krijuar nga situata aktuale, këto marrëdhënie kanë qenë natyrshëm më të sfiduara për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për tu konsoliduar ose kanë precipituar natyrshëm drejt ndarjes.

Mundësitë tashmë të larmishme te komunikimit virtual dhe rritja në përgjithësi e kësaj forme komunikimi kanë shtyrë partnerët edhe drejt eksplorimit të personave të tjerë, në mungesë të kontaktit fizik dhe emocional me partnerin aktual ose si pasojë e marrëdhënies jo aq të mirë ku “gjenden”, apo kanë zgjedhur të gjenden. Situatat e jashtëzakonshme dhe stresuese si kjo pandemi botërore nxjerrin në pah më shumë konflikte me veten ose nevojë për tu shprehur më lirshëm duke qenë se pasiguria për të ardhmen është më e madhe. Një “arratisje” në mënyrë silencioze nga një marrëdhënie që perceptohet drejt fundit, por nuk është artikuluar në nivelin koshient (nga njëri prej partnerëve ose të dy) dhe nuk ka arritur finalen akoma mund të jetë përshpejtuar nga situata e krijuar nga pandemia.

“Gjatë karantinës zbulova se më tradhëtonte dhe nuk kam ditur se cfarë të bëj”

Partnerët që jetuan bashkë kanë zbuluar të vërteta për veten dhe tjetrin, mund të jenë tronditur në besim, mund të kenë mësuar për tradhëti, por edhe u përballën më hapur me cfarë nuk ishte e shëndetshme në marrëdhënien e tyre.

Disa janë përpjekur të mbajnë me zor marrëdhëniet, kanë pasur vështirësi të kuptojnë realitetin e marrëdhënies, janë bërë më konfuzë për cfarë mund të bënin ose ishte më e mira dhe e kanë mohuar realitetin. Aq më tepër e gjitha kjo zmadhohet në rast se kushtet të detyrojnë të rrish fizikisht me personin dhe kur të mungon përreth rrjeti social i miqve, jetës së jashtme dhe mundësia për të arritur njerëz ose shërbime që mund të ndihmojnë në këtë drejtim.

“Sapo ishim njohur kur filloi pandemia” 

Adaptimi ka qenë sfidues edhe për partnerë të cilët sapo janë njohur ose kanë filluar të dalin gjatë kohës së fillimit të pandemisë. Në fazat e hershme të një marrëdhënie, partnerët duan të shpenzojnë kohë fizike me njëri tjetrin, sepse edhe tërheqja e interesi natyral është më i lartë.  Gjithashtu pamundësia për të bërë aktivitete të përbashkëta të jashtme që nxisin njohjen, rrit komunikimin virtual midis partnerëve të saponjohur dhe ndonëse janë pozitive, nuk mund të jenë zëvëndësuese të aktiviteteve fizike. Si e tillë është bërë më sfiduese të zhvendosen këto aktivitete në forma më të shpeshta komunikimi virtual gjatë ditës, të bërit më kreativ në rastet më të mira, por edhe ka sfiduar durimin për tu njohur ndryshe në një realitet të ri dhe me ritëm tjetër.

Mungesa e dinamikave të rëndësishme fizike dhe emocionale që nuk zhvillohen dot nën kushtet e distancimit social janë një sfidë e shtuar për partnerët që janë në hapat e parë të ndërtimit të marrëdhënies, por edhe për partnerët më të konsoliduar ku këto dinamika shërbejnë si nxitës të afeksionit dhe përparimit të qëllimeve të përbashkëta që ka një marrëdhënie në cift.

Thuhet se cilësia e jetës sonë varet nga cilësia e marrëdhënieve.  Po ndërkohë, pandemia na sjell në një kuadër të ri marrëdhëniesh dhe zhvendosje dinamikash dhe si e tillë mund të na krijojë ose mundësi të reja, ose pengesa te panjohura për tu marr dhe si çdo ndryshim madhor dhe i beftë, kjo sjell një dimension të ri diskutimi, si në nivele profesionale por edhe në bisedat e përditshme.

Ky artikull realizohet në kuadër të projektit “Ndërhyrje emergjente për përballimin e pasojave në shëndetin mendor si pasojë e izolimit nga pandemia e Covid-19” mbështetur nga Leviz Albania, një projekt i Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC