Këshilla/Blog

Në kuadër të programit “Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria” i udhëhequr nga UNICEF Albania me mbështetjen financiare të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar .janë duke u bërë përpjekje të vazhdueshme për të adresuar problemet që lidhen me trafikimin e qënieve njerëzore, duke thelluar ndërgjegjësimin në popullatë për parandalimin e këtij fenomeni dhe ofrimin e shërbimeve për riintegrimin dhe fuqizimin e viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit.

Pjesë e projektit janë dhe tri strehëza të cilat ofrojnë shërbime rehabilituese dhe riintegruese për viktimat e trafikimit dhe viktimat e mundshme të trafikimit. Për të marrë më shumë informacion mbi strehëzat si një nga institucionet që ofrojnë shërbime të qenësishme për mbështetje, rehabilitimin dhe fuqizimin e viktimave të mundshme apo viktimave të trafikimit, jemi ndalur në një përshkrim të shërbimeve që ofrohen nga Organizata Psiko-Sociale “Vatra”.

Në vitin 2001, Vatra ngriti strehëzën e parë në Shqipëri për viktimat e trafikimit e cila vazhdon të ofroj shërbime akomodimi, rehabilitimi dhe riintegrimi për viktimat e mundshme dhe viktimat e trafikimit shqiptare dhe të huaja, si dhe për fëmijët e tyre. Një viktimë trafikimi ose viktimë e mundshme trafikimi, përveçse mund të kërkojë ndihmë vetë pranë Qendrës Vatra, referohet edhe nëpërmjet institucioneve si policia, shërbimi social pranë bashkisë, shkollat, qendrat shëndetësore, si dhe Njësive Lëvizëse.

Programi i riintegrimit përbëhet nga tre faza. Faza e parë është faza e emergjencës, në të cilën viktima hyn në programin e riintegrimit të Qendrës Vatra dhe mund të zgjasë deri në një vit. Faza e dytë përfshin fazën e jetesës gjysmë të pavarur, gjatë së cilës shërbimet e qendrës ndihmojnë tashmë jo më në rehabilitimin e përfituesve, por në riintegrimin e tyre drejt një jete të pavarur, nëpërmjet mbështetjes me shërbime fuqizuese. Faza e fundit e programit përfshin monitorimin afatgjatë, gjatë të cilës profesionistët që ofrojnë shërbime i përgatisin përfituesit për një periudhë dy apo tre vjeçare, që të mund të shkëputen nga shërbimet e organizatës, duke pasur qëllim final riintegrimin e tyre të plotë. I gjithë cikli i programit zgjat 4-5 vjet.

Sa i përket shërbimeve, Qendra Vatra ofron një paketë të plotë shërbimesh rehabilituese rezidenciale dhe komunitare për viktimat dhe fëmijët e tyre. Të gjitha shërbimet ofrohen nga një ekip multidisiplinar profesionistësh me punonjës social, psikolog, avokat, mjek, infermier, trajner për punësim, etj. Paketa e shërbimeve garanton plotësimin e nevojave bazike për strehim të sigurt (në strehëz dhe apartamente me qera), ushqim, veshmbathje.

Me qëllim rehabilitimin dhe riintegrimin e viktimave dhe fëmijëve të tyre, organizata ofron mbështetje shëndetësore, asistencë psikologjike, si këshillim psikologjik individual apo terapi arti dhe loje me qëllim rehabilitimin psikologjik të viktimave; asistencë ligjore dhe përfaqësim në institucione ligjzbatuese të gjykatës, prokurorisë, policisë, etj. Rëndësi të veçantë i kushtohet shërbimeve për fuqizimin ekonomik të viktimave nëpërmjet kurseve profesionale, ndërmjetësimit për punësim dhe ngritjes së mikrobizneseve.

Gjatë vitit 2023, Qendra Vatra mbështeti me shërbime fuqizuese 113 viktima të trafikimit, viktima të mundshme të trafikimit dhe 71 fëmijë të tyre.

Trafikimi i qenieve njerëzore është fenomen që prek jo vetëm viktimat drejtëpërdrejtë por ndikon në terma afatgjatë në të gjithë shoqërinë. Pavarësisht sfidave të shumta, përmes programit të udhëhequr nga UNICEF Albania në parneritet me një konsorcium organizatash, është arritur që në tre vitet e fundit të ofrohen shërbime cilësore riintegruese për fuqizimin e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, për përmirësimin e situatës socio-ekonomike të tyre.

Si mund të kontaktoni dhe të merrni informacion:

Qendra Psiko-Sociale “Vatra”

Lagjia Isa Boletini, Rruga “Nermin Vlora Falaski”, Pallati 13, Ap.3, Vlorë, Shqipëri.

Tel: +355033 400 736

Cel: +35568 69 06 974

E-mail: [email protected]

www.qendravatra.org.al

Qendra Psiko-Sociale “Vatra”

 Qendra Vatra

Punoi: Fondacioni Together Albania

Ky artikull u zhvillua në kuadër të programit “Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria” udhëhequr nga UNICEF Albania dhe mbështetur nga British Embassy Tirana.

#EndHumanTrafficking #StopHumanTrafficking #UKinAlbania #Ndalojmëtrafikimin

#Bashkëmundemi #bashkëkundërtrafikimittëqenievenjerëzore #UNICEFAlbania #UNICEFprotects