Këshilla/Blog

alb 29.06.2020

pershendetje , kam nevoj per ndihme kam menduar shum gjat te shkoj dhe te bisedoj me nje psikolog por nuk i kam kushtet e mira dhe nuk po kam mundesi ta paguaj nje seanc prandaj kerkoj ndihmen e juaj. kam qen ne lidhje 3 vjeqare dhe qe nga fillimi familja e tij nuk me kan pranuar mua mirpo prap kemi vazhduar deri me tani duke menduar qe do te gjejme nje zgjidhje jemi te dy te ri nga 20 vjet mirpo mua me duket se sa shkon e behet me keq i dashuri im esht ne nje gjendje depresioni asnje nga familja e tij nuk e kupton me mua sillet keq nuk mlejon me dal me shoqe ndersa shoket nuk mund as ti permend i kam pranuar te gjitha deri me tani mka thone fjal te keqija gjithmon ma ka hup vetbesimin ka xhelozu nuk mka besu por tani qe jam ftof prej tij nuk po e du njesoj nuk po me largohet gjithmon fillon me kajt edhe po mthot vetem ty tkom pas se mu as nana nuk mkupton e nuk mdon edhe tani kom fillu me ra edhe un nje lloj depresioni vetem kaj nuk me knaq asgje nuk kam vullnet dhe e mendoj vetem vdekjen jam shum keq

  1. MSc. Lediona Braho - Psikologe klinike thotë:

    Përshëndetje e dashur,

    Më vjen mirë që e ke gjetur një mundësi këtu në faqe për ta ndihmuar veten. Edhe nëse ke pamundësi financiare, sërish ekzistojnë mundësi alternative për ta ndihmuar veten, si kjo hapësira këtu.
    E shoh që po e përjeton me vështirësi këtë periudhë, ndaj të sugjeroj që t’i japësh pak kohë vetes për të gjetur mbështetjen që të nevojitet dhe për të “mbledhur forcat” që të nevojiten për t’u ringritur, për t’u ndjerë më mirë me veten dhe të tjerët përreth.
    Shoh që shqetësimi yt kryesor vjen prej vështirësive në lidhje. Në përgjithësi, asnjë lidhje nuk shkon “vaj” por ka probleme. Ndërkohë, ka lidhje të cilat kanë më shumë probleme sesa zgjidhje. Shoh që personi me të cilin je e lidhur po të ngarkon psikologjikisht (edhe sepse është vetë i ngarkuar), edhe prej mënyrës sesi po sillet me ty. Nuk është e lehtë të ruash një marrëdhënie kur mungon komunikimi dhe mirëkuptimi. Mesa shoh, një arsye pse ai ka nevojë për ty është fakti që ti e ke kuptuar dhe i ke qëndruar afër, por duhet të mendosh për nevojat dhe veten tënde, së pari. Nëse një person që ke pranë nuk mund të të mbështesë dhe të të japë qetësinë e nevojshme, kur ke më shumë nevojë, nëse ka probleme, nëse nuk kuptohet nga familja e tij, nëse nuk sillet mirë me ty… atëherë, pyete veten: çfarë vlere ka për ty të qëndrosh me të, të qëndrosh në një marrëdhënie ku merr më shumë vuajtje sesa dashuri dhe kënaqësi?
    Të sugjeroj të fillosh të mendosh për veten tënde, të kujdesesh për veten tënde dhe nevojat e tua, të fillosh të bësh disa gjëra të tjera të cilat ty të pëlqejnë ose që të kanë pëlqyer më parë, ta hapësh pak shikimin edhe për gjëra të tjera jashtë marrëdhënies, në mënyrë që të fillosh të ndiesh emocione pozitive. Kërko mbështetje nga familja jote dhe nga miqtë e tu, në mënyrë që të marrësh ndihmën që të nevojitet edhe nga ata. Mos e fajëso veten nëse gjërat nuk po shkojnë mirë, kujtdo mund t’i ndodhë të ndihet kështu siç po ndihesh. Jepi vetes kohë që të fillosh pak nga pak të kuptosh nevojat e tua dhe të fillosh të gjesh persona mbështetës, që të ndihmojnë, që janë aty për t’i plotësuar nevojat dhe të distancohesh nga personat që të bëjnë të mos ndihesh mirë me veten tënde dhe me botën përreth.
    Nëse ndjen se gjërat mbeten njësoj pavarësisht ndryshimeve që do të provosh, mos ngurro të kontaktosh me një psikolog ose një mjek psikiatër përë të bërë një konsultë më të detajuar.
    Të uroj forcë dhe kurajë për të përballuar gjithçka,

    Lediona Braho
    Psikologe Klinike

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.