Këshilla/Blog

learti 07.04.2021

Pershendetje jam nje djal 19 vjeq nga Klina qe gati 3 vjet e kam problem skuqjen ne fytyr kur me flet ndonje vajze ose kur e ndjej se po me shikojn te gjith me kap njefar sikleti me skuqet fytyra vesht i gjith trupi po ashtu psh kur bezeqesh me skuqet fytyra ne gjdo aspekt e kam te skuqem jo te zbehem si dikush kshtu ne pergjithsi bej shaka me te tjeret po kjo gje me ben te ndihem keq do isha nje njeri krejt tjeter
po ashtu e kam menduar qe ndoshta kam sasi te madhe te gjakut qe e kam gjdo gje vetem per tu skuqur ju lutem ndonje keshill qe mund te me ndihmoni ta largoj marren pergjithmon

  1. MSc. Lediona Braho - Psikologe klinike thotë:

    Përshëndetje,
    E kuptoj shqetësimin tënd dhe sikletin që ndjen në momentin kur skuqesh. Disa njerëz skuqen kur turpërohen, por ka edhe nga ata që skuqen në situata të tjera, p.sh., nëse i prek dikush, për arsye se lëkura e tyre mund të jetë tejet e ndjeshme. Mund të bësh ndonjë konsultë me një dermatolog për të njohur tipin e lëkurës tënde dhe për të kuptuar nëse mund të përdorësh ndonjë produkt të caktuar për lëkurën.
    Mirëpo, nëse ty lëkura të skuqet vetëm në situatat që ke përmendur, pra, në situata shoqërore, atëherë kjo mund të lidhet me turpin ose ankthin social. Si çdo shqetësim tjetër i ngjashëm (pra që lidhet me gjendjen emocionale), nevojitet të kuptohet si ka filluar, si ka evoluar gjatë kohës dhe si mund të përballohet në mënyra të shëndetshme (pa iu shmangur, sepse shmangia mund të ndihmojë për pak kohë por bëhet më e vështirë me kalimin e kohës dhe nuk e zgjidh problemin).
    Unë do të të sugjeroja që të përpiqeshe ta pranoje këtë pjesë tënden edhe para të tjerëve, pasi vetëm duke e pranuar mund të jesh më i qetë. Duket paradoksale por mund të funksionojë. Gjithashtu, do të të sugjeroj të përfshihesh në gjëra dhe aktivitete që të pëlqejnë në mënyrë që të rrisësh pëlqimin dhe besimin te vetja – pasi nëse e do dhe e pëlqen veten për atë që je dhe gjërat që bën (pasione, hobi, shkolla, etj.) atëherë edhe të tjerët të duan dhe të pranojnë më lehtësisht.
    Nga ana tjetër, do të kisha nevojë të dija më shumë për ty, si e kalon kohën, çfarë të pëlqen të bësh, me kë jeton dhe si ndihesh në shtëpi, etj. duke e zgjeruar pak hapësirën e bisedës. Të gjitha këto do të më ndihmojnë të kuptoj më shumë për ty dhe për të të dhënë ndonjë sugjerim më specifik.
    Nëse e ke të mundur, të sugjeroj të flasësh edhe me një psikolog, i cili do të të ndihmojë të kuptosh dhe të përballosh më mirë turpin dhe sikletin në situata sociale.
    Mund të përdorësh shërbimin falas të chat-it në faqen tonë, ku gjen psikologë dhe psikoterapistë gjatë ditëve të javës.
    Të përshëndes,
    Lediona Braho
    Psikologe

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.